Elemente etnolinguistike në të folmen e Malësisë së Madhe

E folmja e Malësisë së Madhe dallohet nga të folmet e tjera të gegërishtes veriperëndimore, jo vetëm në një sasi të madhe dukurish, por edhe në tiparet më të qenësishme që merren si bazë e dallimit të grupit veriperëndimor nga grupet e tjera, kështu dallimet ekzistojnë edhe në përshëndetjet, urimet dhe mallkimet si shprehje e mëndësisë shqiptare të kësaj krahine e që e bën të dallueshme nga territoret tjera shqipfolëse.

​Funksionimi i përshëndetjes duhet kërkuar qysh në epokat e hershme, kur në takimin e personave ka qenë zakon që të përshëndeteshin me qëllimin e mirë që t’i tregonin njëri-tjetrit shpirtin e pastër, të jetuarit në harmoni të plotë pa barriera të ndryshme dhe të shmangeshin nga të gjitha konfliktet e mundshme,pasi që ato sjellin pakënaqësi dhe si rrjedhojë e kësaj tek njerëzimi prezantohet panjerëzia. Kështu përshëndetja jo vetëm se është akt i marrëveshjes,por në të njëjtën kohë lidh dhe vendos marrëdhënie ndërmjet njerëzve.

Sipas Fjalorit të gjuhës shqipe fjala ‘’Përshëndet’’ ka këtë kuptim: Përshëndet (përshëndes)-A-UR, i jep dorën dikujt,i bëj një shenjë me kokë, heq kapelën përpara tij etj., ose i them fjalë të caktuara urimi; kur takohem me të a kur ndahem prej tij; i shfaq dikujt me fjalë ose me lëvizje të kokës,të dorës etj.,ndjenja miqësie,nderimi a mirësjelljeje.

Në zonën e Malësisë së Madhe përdoret fjala përshëndetëse ‘’Tugatjeta!’’ në dallim nga vendet e tjera që e hasim me këtë përdorim: ‘’Tungjatjeta!’’, ‘’Njatjeta!’’, ‘’Tuetjeta!’’ etj. Përshëndetja mund të shprehet edhe me gjeste si: tundja e kokës,vendosja e dorës së djathtë tek zemra etj. . Në Malësi kur njerëzit janë mbledhur së bashku, një burrë vjen e përshëndet:

– ’Tugatjeta burra!’’

– ‘’Tjeta e mira!’’– nga ana e marrësit.                

  Këtu vërejmë që edhe përshëndetja ‘’Tugatjeta’’ shkurtohet në ‘’Tjeta’’. Por ajo që nuk mund të lëmë pa përmendur,në zonën e Malësisë tek shqiptarët e besimit mysliman,është se nën ndikimin e qytetërimit osman, përshëndetja  ka qenë dhe ruhet edhe sot në familjet tipike me tradita të thella fisnike popullore, me formula në gjuhën turke si:

– Selam Alejkum ( Zoti qoftë me ju )

– Merrhaba (Paqa qoftë me ju )

– Byrëm (Mirëseerdhe)

Në takimet me njëri-tjetrin,kur dhënësi hyn në shtëpinë e marrësit, sapo shkel në dhomën e miqve përshëndet:

– ‘’Mirë se u gjeta!’’

– ‘’Mirë se vjen e hoshgjiedën t’kjoftë!’’ ose ‘’ Byrëm e hoshgjiedën t’kjoftë!’’.

Malësia është dalluar ndër të gjitha krahinat e tjera të bashkësive shoqërore shqiptare për bujarinë e mikpritjen, edhe pse me mundësi ekonomike të pakëta. Duke qenë një vend me tradita të hershme, edhe mikpritja është mjaft e theksuar. Cilido nga pjesëtarët e familjes,trokitjes në derë do t’i përgjigjej:

 ‘’Hajde byrëm!’’

Shprehja proverbiale ‘’Bukë e krypë e zëmer t’bardhë’’ ka qenë dhe është në sjelljen e çdo dere malësore, poashtu është përdorur edhe ‘’Bukë e krypë e qef!’’. Ajo që i bën njerëzit të lidhur me njëri-tjetrin dhe të respektueshëm është puna, kushtet në të cilat punojnë, mjedisi dhe fryma e respektit midis tyre, qoftë në qytet, duke blerë apo duke bërë pazar, apo në fshat duke lëruar në arë,duke mbjellë a prashitur apo në institucione të ndryshme. Kjo formulë përshëndetëse mban në vetvete dhe formën e një urimi, që puna të ecën mirë.

– ‘’Puna e mar’!’’

– ‘’Mar’ e t’mira paç!’’

– ‘’Kjoft’ hije mirë puna e u g’zoft’!’’

– ‘’T’lumt’ goja e nera t’kjoft’!’’

Kur takohen dy persona që i përkasin një fisi apo një trungu familjar,rreth i njohur miqësie apo shoqërie etj., në ndarje apo në mbyllje të çdo takimi midis një dhënësi e një marrësi, pas falenderimeve të rastit për mikpritjen, marrësi gjen rastin për t’u dërguar të fala njerëzve të tjerë të njohur në vendin ku do të shkojë dhënësi. 

Tradicionalisht, por edhe në kohët e sotme ka qenë e njëjta formulë përshëndetëse:

 ‘’T’fala!’’

– ‘’T’fala te tanve!’’

– ‘’T’fala m’i ba!’’

– ‘’M’u ba t’fala tanve pej (prej) mejet!’’

– ‘’T’fal me shnet fort e fort pej nesh!’’

Grupi emëror shoqërohet me foljen ‘’bëj’’ në mënyrën dëshirore dhe me një ndryshim fonetik të zanores ë-ȃ veçori, por edhe karakteristikë e të folmes së Malësisë gjegjësisht e dialektit të gegërishtes.

 ‘’Bȃsh ditën e mir’ !’’

– ‘’Bȃsh natën e mir’!’’

– ‘’Bȃsh kohën e mir’ !’’                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               

 Urimi nuk është tjetër, veçse një akt i të folurit, që shpreh një qëndrim ndaj sjelljes dhe fatit të të tjerëve. Urimi është shprehja me fjalë e një dëshire që pritet të realizohet në një kohë të ardhshme.

Urimet i ndajmë në dy kategori:

  1. a) Formula urimi që kanë të bëjnë me ngjarje kryesore të jetës së njeriut;
  2. b) Formula urimi në raste ceremonish gëzimi.

 ‘’Nimofte Zoti!’’.

– ‘’Ruejte Zoti!’’.

– ‘’Paste baba!’’.

– ‘’Paste konaku!’’.

– ‘’T’paça!’’

– ‘’Kjosh bekua kado shkosh e kado vosh!’’.

– ‘’Gjithka shkosh bȃsh hajr!’’.

– ‘’Ta baft’ Zoti rrugën parë (mar’)!’’. 

– ‘’Gjithka shkosh kjosh bëkua prej mejet e prej Zotit!’’

– ‘’Tiesha mir’ për ty!’’.

– ‘’T’laça me t’mir’!’’.

– ‘’Laçja djalit pleqninë!’’.

– ‘’Për t’mir’ u ardhshim- Paçi ku me ardhë!’’.

– ‘’Ta baft’ Zoti qefin!’’.

– ‘’Rrnosh e kjosh e përparosh!’’.

– ‘’ Ta baft’ Zoti hallall si gjinin çi ta ka dha nana!’’ etj. .

Ndërsa pjesa tjetër e formulave të urimit është e lidhur për raste të ndryshme të ceremonive të gëzimit e që janë zinxhir i pashkëputshëm i traditës së Malësisë, më poshtë po paraqes disa:

– ’U kjoft’ jetë giat djali!’’.

– ‘’Nusja u past’ ardhë me nafak’!’’.

– ‘’Hije mirë e paçi shpinë e re!’’.

– ‘’ E g’zoshi tokën me djel e me nipa!’’.

– ‘’U rritsh me v’llazën e motra!’’.

– ‘’Gjithmonë ner’ e burrni qitshi!’’.

– ‘’Kurr Zoti mos va (ua) mëgoft’!’’.

– ‘’E g’zosh e bajsh me aerz!’’.

– ‘’Kjosh hije mir’ per shpi e per gjini!’’

– ‘’T’u rrit nera e oxhaku!’’.

– ‘’E g’zosh konakun e ri!’’.

   Një situatë komunikative me dy të moshuar, nusja e shtëpisë e pyet të ëmën e të shoqit (vjehrrën) në një moshë të thyer:

– ’Si njehe sot dadë?’’

– ’A t’ka dhëp shtati?’’

– Nga ana e marrësit:

– ‘’Paj e nevojme besa more nuse!’’.

‘’Kjosh bëkua e ta fal’t Zoti i djalë!’’                                                                                                            

   Sot në Malësi nga të rinjët pak ka ndryshuar mënyra e përshëndetjeve, krahasuar me të moshuarit dhe me të rriturit të cilët kanë qenë më ruajtës e më fanatikë në lidhje me traditat pra, edhe me format e përshëndetjeve. Kështu ndryshimi demografik ka ndikuar sadopak në traditën e përshëndetjeve.

Të rinjtë, në takimet dhe në ndarjet me njëri-tjetrin, përdorin përshëndetje me struktura fjalësh të shkurtuara:

’Mjesi!’’, ‘’Natë!’’,’’Ditën!’’,’’Tung!’’, ‘’Tjeta!’’,’’Paçim!’’ etj. .                           

    Urimi gjatë të pirit e të ngrënit

   Tradicionalisht, sofra malësore shtohet me gjellë të ndryshme e me pije, të veçanta për miqtë dhe duhet përmendur se në Malësi asnjëherë burrat nuk janë ndarë nga gratë, por të gjithë kanë ndenjur rreth sofrës së bashku, sigurisht në ballë të sofrës është thirrur të rrijë atij që i takon sipas parimeve të malësorve dhe rregullave të thirrura në kanun.   

   Urimin e parë e bën i zoti i shtëpisë, me gotën e rakisë në dorë u drejtohet mysafirëve:

 ‘’Me ner’ e kjoftë luvdua Krishti!’’

– ‘’Mirë se u ka pru Zoti e hoshgjeden u kjoft’!’’.

– ‘’Pritshi mirë e vugiatjeta juaj!’’

Kjo formulë dallon pjesën e popullsisë katolike nga ajo myslimane.

  Në zonën e Malësisë kemi mjaft përdorime të ndryshme togfjalëshash, por duhet veçuar disa tjera që i quajmë me një emër ‘’mallkime’’. Më poshtë po paraqes disa mallkime që dalin nga kjo zonë.

– ’Mos past’ kush me ja dha i got’ ujë n’dit’ prame!’’.

– ‘’Mos past’ pse me dek’!’’.

– ‘’Lashtae Zoti pa sy n’ballë!’’.

– ‘’Tretja Zoti faren!’’.

– ‘’Mos baft’ hajr!’’.

– ‘’Ju shkreptë hisja!’’

– ‘’Ju dryft’ dera me ferra (therra)!’’.

– ‘’Mos e g’zoft’ konakun e ri!’’.

– ‘’Theftja Zoti qafen!’’.

– ‘’Past’ faqen e zezë!’’.

– ‘’Hupt si guri n’ujë!’’.

– ‘’Ja mallkoft’ Zoti edhe vorrin (varrin)!’’.

– ‘’Ardht’ me dymdhetë faqe t’zeza!’’.

– ‘’Mos ju pat boja!’’.

– ‘’Shitoshinae 500 Zana t’zeza!’’.

– ‘’Vraftae hera!’’.

– ‘’Kurr mirë mos patë!’’.

– ‘’Kurr mos pastë!’’ etj. .

Këto janë vetëm disa nga shumësia e madhe e shprehjeve të malësorëve që i kanë ruajtur me shumë kujdes të madh e kështu të prezantohet Malësia me diçka që e bën të dallueshme nga krahinat-trevat e tjera shqiptare,por në të njëjtën kohë t’i sherbejë korpusit të madh të leksikut të gjuhës shqipe.

                              Përfundime

Vështrimi i formulave të përshëndetjeve, urimeve dhe mallkimeve në zonën e Malësisë së Madhe, prurjet konkrete në këtë shkrim nuk mund të jenë shteruese, as përfundimtare,kështu që në të ardhmen shpresoj në një qasje më të gjerë pasi shpirti i njeriut të këtij vendi është i pasur me tiparet e tij dalluese.

      Bibliografia:

– AA VV, Fjalor i shqipes së sotme, bot. i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2006. 

– At’ Kolë Berishaj, ‘’Visare të Malësisë’’,Vepra 2, Enti botues ‘’Gjergj Fishta’’,Podgoricë 2013.

– Gjovalin SHKURTAJ, Etnografi e të folurit të shqipes, Tiranë, 2010. 

– Valter  Memisha, Studime për fjalën shqipe, Tiranë, 2011. 

 Marjan Lulgjuraj 

Fotografite: Bernard Hasanaj 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights