“Diaspora sot përbën potencial shumëfish”

Intervistë me ministrin e diasporës së Kosovës, Z. Valon Murati

-Cila është strategjia e Ministrisë së Diasporës karshi qytetarëve të Kosovës në botë?

Ministri Murati: Ministria e Diasporës zotëron strategjinë që nga themelimi si ministri, shtylla e punës së saj e ka strategjinë për diasporën dhe mërgatën 2013-2018, po ashtu edhe  ligjin për diasporën dhe mërgatën, këto janë dy shtyllat që ne punojmë. Realisht ligji përcakton misionin e ministrisë, punën që duhet bërë , ndërsa përmes strategjisë janë përcaktuar objektivat e ministrisë,  është e rëndësishme të dihen disa nga objektivat, ndër objektivat kryesorë të strategjisë së ministrisë, janë ruajtja dhe kultivimi i identitetit kombëtar të diasporës tonë, mbrojtja e të drejtave civile politike të diasporës, qoftë në Kosovë qoftë në ndonjë shtet tjetër. Integrimi i diasporës në vendet ku jeton, të themi është objektiv që i bie  i fundit për nga renditja, por, jo më pak i rëndësishëm, është përfshirja e diasporës në zhvillimin socio–ekonomik të vendit. Këto pak a shumë janë objektivat e rëndësishme,  jo vetëm të Ministrisë së Diasporës, por edhe të shtetit. Dhe pastaj ne bëjmë përpjekjeje që duke pasur parasysh mundësitë tona që të punojmë në realizimin e këtyre objektivave. Ligji ka krijuar disa  mekanizmave të realizimit të këtyre objektivave dhe ne kemi krijuar tri qendra jashtë Kosovës. Është e rëndësishme që të theksohet para jush, se ne jemi në fazën e hartimit të ligjit të ri për shkak se kemi parë deri tani defektet edhe mangësitë në funksionimin e ministrisë, qoftë në krijimin e mekanizmave të krijuara nga ministria përmes ligjit aktual, prandaj jemi në procesin e ndryshimit të ligjit dhe si proces do të duhej të përfundonte në qershor. Ne e kemi kaluar si koncept dokumentin, tani fillon procesi i hartimit të tij për të shkuar në qeveri dhe Kuvend për t`i kaluar procedurat, qoftë edhe debatet publike me diasporën dhe akterë të tjerë. Ajo që është sfidë, në realizmin e këtyre objektivave janë mundësitë e vogla buxhetore, por po bëjmë përpjekje që së bashku me mekanizma të tjerë t’i realizojmë disa nga këto objektiva, sidomos në ruajtjen e fushës së identitetit, në përkrahjen e mësimit shqip, sepse realisht gjuha shqipe mbetet faktori kryesor për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Ne kemi bërë marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës në vitin  2015 dhe atë të Shqipërisë, në mënyrë që të dyja shtetet të trajtojnë mësimin shqip në diasporë. Janë bërë një sërë punësh në këtë aspekt, mbetet që këtë vit të fuqizohet kjo marrëveshje me  komponentin financiare, presim edhe një marrëveshje këtë vit me këtë komponentë në mënyrë, që pastaj të marrim më shumë përgjegjësi në organizmin e mësimit shqip në diasporë. Në kuadër të këtij objektivi, ne organizojmë “Ditët e Kulturës Shqiptare” që i organizojmë atje dhe ndihma dhe aktivitete të tjera atje me mundësitë që ka ministria kuptohet.

-Sa janë  të prekshme rezultatet e punës tuaj, nga të rinjtë tanë të shkolluar atje pak mendojnë të kthehen dhe të kontribuojnë këtu? Si mendoni Ju?

Nuk kisha për të thënë që asnjë prej tyre nuk është i interesuar për të kontribuar në vend. Por, barra kryesore bie mbi ne, institucionet e vendit, qeverinë, institucionet komunale edhe bizneset private që t`i përthithim. Ne, si Ministri e Diasporës, në strategjinë kombëtare për zhvillim ekonomik të miratuar vitin e kaluar, kemi arritur  që të fusim edhe komponentin e tërheqjes së ekspertizës nga diaspora qoftë për afat të shkurtër, qoftë për afat të gjatë. Mendoj se tërheqja e ekspertizës afatshkurtër, është më e lehtë, sepse personat të cilët kanë krijuar një karrierë në një vend tjetër do ta kenë të vështirë të qëndrojnë më gjatë, dhe është shumë më e lehtë që përmes projekteve të caktuara të kemi dhe të shfrytëzojmë burimet e diasporës, në institucione publike, por edhe ato private, kemi arritur këto t`i fusim në strategji kombëtare për zhvillim ekonomik. A është e mjaftueshëm? Absolutisht jo. Sepse nga strategjia në realizim ka një hapësirë shumë të madhe. Ne do të mundohemi që së paku një pjesë të kësaj strategjie ta jetësojmë. Atë që kemi bërë para dy vitesh është hapja e institucioneve publike për studentët nga diaspora kemi pasur dhjetëra studentë që kanë realizuar praktika gjatë periudhës së verës, por edhe gjatë gjithë vitit, në institucione të ndryshme të vendit. Vitin e kaluar kemi përfshirë edhe komponentin me institucionet lokale dhe këtë vit shpresojmë të përfshijmë edhe shoqërinë civile, edhe  bizneset private. Kemi marrëveshje edhe me Republikën e Shqipërisë, ku studentët nga diaspora mund të barten për punë praktike edhe në institucionet e Shqipërisë. Përvoja jonë ka qenë e jashtëzakonshme dhe kemi feedback të tyre nga institucionet ku kanë bërë praktikën, kanë sjellë me vetë atë që është shumë e rëndësishme kulturën e punës dhe dijen që marrin nëpër institucionet e tyre, puna dhe mundësia e tyre intelektuale e realizuar gjatë verës ka qenë me rëndësi të dyfishtë, pikërisht kjo është ajo që ka bërë mbahet edhe lidhja me atdheun. Kemi kërkesa të vazhdueshme nga studentët e diasporës që gjatë gjithë vitit  të realizojnë praktikat e tyre në vendlindje. Gradualisht shpresojmë të futemi në pilot projekte të tjera për të shfrytëzuar mundësitë tona nga diaspora, qoftë përmes organizmit të seminareve, trajnimeve apo ligjëratave nëpër universitete, apo përmes shfrytëzimit të tyre për të shërbyer si këshillues në institucionet në të cilat ka nevojë. Në këtë drejtim jemi duke menduar dhe punuar për një gjë të tillë me GIZ gjerman, ata kanë një projekt  për shfrytëzimin afatshkurtër të ekspertizës nga diaspora. Pra, janë vendosur hapat e parë për të vendosur një lidhje me diasporën edhe me mundësitë e saj intelektuale  dhe profesionale, dhe jo vetëm të jemi të fokusuar në remitanca dhe vetëm në investime direkte. Shpresojmë që kjo nismë të përcjellët këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

-Ministria e Diasporës ka vite që ka filluar regjistrimin e diasporës. Sa ka qenë i suksesshëm ky regjistrim dhe a kemi statistika në këtë drejtim?

Ministri Murati: Suksesi duhet të matet në përputhje me mundësitë që kemi pasur, ne i kemi regjistruar afërsisht 400.000 (400 mijë) qytetarë që jetojnë dhe veprojnë jashtë Kosovës, duhet ta kemi parasysh që regjistrimi ka qenë i përqendruar në Kosovë për shkak të buxhetit të limituar, regjistrimi është bërë gjatë verës në Kosovë, kur edhe është diaspora këtu. Mendoj që në mandatin tim, kemi bërë një punë të madhe sepse në 95% të 400 mijë personave janë regjistruar  gjatë këtyre dy viteve, ky nuk do të jetë numri përfundimtar, sepse regjistrimi do të vazhdojë edhe për 5 vitet e ardhshme si regjistrim online. Këtë vit e tërë fushata do të fokusohet në regjistrimin online, në qershor do të dalim me një raport jo vetëm në planin e numrave, por raport që do të trajtojë demografinë, familjen dhe ekonominë dhe çdo gjë që përfshinë raporti statistikor, dhe besojë se do të jemi shumë afër të vërtetës, jo në shifra absolute, sepse diaspora është shumë më shumë se 400 mijë. Dhe fokusi do të jetë në regjistrimin online sepse është lënë pas dore, prandaj kësaj here besojmë që brezat e rinj do të përdorin më shumë regjistrimin online dhe kemi punuar që softwer-in ta thjeshtësojmë maksimalisht.

-Cili është qëllimi i regjistrimit?

Ministri Murati: Si çdo statistikë tjetër, Ne mund të bëjmë shumë më lehtë politika kur kemi regjistër të njerëzve tanë, është një raport që do të jetë i dobishëm për politikëbërësit, qeveritarët, partitë politike komunat, kur flasim për investimet, si dhe mundësitë e lidhjeve me diasporën edhe për shkollimin. Në anën tjetër, do të jetë i rëndësishëm edhe në planin akademik për ata që studiojnë emigracionin dhe lëvizjet dhe strukturën e popullsisë tonë në diasporë, ky proces është shumë i dobishëm, ajo që  për mua mbetet peng, është që procesi është përcjellë më një reduktim shumë të madh të buxhetit në kohën kur ne e kemi marrë, diku 50 ose 60% , të buxhetit është reduktuar, sepse në mandatin e kaluar në vitin 2014 ka qenë vit zgjedhor, dhe ka qenë e pamundur që të realizohen të gjitha objektivat atë vit. Ka qenë ai ngërçi i gjatë politik, mbi 6 muaj vendi ka qenë i ngërthyer në atë krizë të madhe politike dhe realisht në vitin 2014, në fund ato pothuajse kanë humbur fare, një shumë të vogël e kemi shfrytëzuar, dhe kështu në këtë proces kemi humbur mbi  1 milion euro, andaj edhe kemi një brejte të ndërgjegjes, sepse besojmë se do të kishim bërë shumë punë më të mëdha  sikur të kishim atë shumë të mjeteve që është parashikuar në fillim.

-Ministër, çfarë mund të na tregoni për stafin tuaj dhe çfarë ndikimi kanë ata në zgjidhjen e problemeve të diasporës?

Ministri Murati: Stafi politik edhe stafi civil janë të përkushtuar dhe mendoj që nëse ka një institucion që i di hallet e diasporës janë njerëzit tanë, stafi ynë përballet me ato probleme çdo ditë, njerëzit tanë merren edhe me çështje krejt teknike, me dhënie të këshillave, rekomandimeve, nxjerrje të dokumenteve, qoftë doganë, kufi, qoftë me investitorë po ashtu edhe me njerëz të thjeshtë. Sigurisht që mundësia jonë për t’i zgjidhur të gjitha problemet është i vogël, edhe për shkak të burimeve financiare dhe jo për mungesë njerëzish dhe mungesë të dijes mbi situatën në diasporë.

-Në zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë votuar rreth 2500 votues, që i bie 1% e votuesve nga diaspora, krahasuar me Shqipërinë që nuk zotëron një proces të tillë, Kosova minimalisht ka votuar. Çfarë po bëni ju që diaspora të ketë një përqindje më të madhe të votimit?

Realisht ky është një problem i cili ka përcjell këto proceset zgjedhore në vazhdimësi, ka pas një lënie pas dore në dërgimin e materialeve dhe në regjistrim, edhe nga ana e diasporës, një mungesë të njohjes, mungesë të komunikimit ndoshta në mes të KQZ-së dhe institucioneve tjera me diasporën për çështjen dhe mundësinë që ata kanë për të votuar. Por, ajo që unë mendoj është se sa do që ne të përpiqemi dhe sado që ne do të krijojmë hapësira për votim qoftë në ambasada apo konsulta, ajo që do të ishte zgjidhje reale dhe e duhura do të ishte ndryshimi Kushtetutës së Kosovës dhe që të përcaktohen diku, se paku 5 vende për diasporën, kjo disi do ta zgjidhte mënyrën më të duhur të përfaqësimit të diasporës, sepse edhe ata nëse votojnë nga diaspora do të votojnë për politikanët në Kosovë, ndërsa po t’i kenë 5 vende të  rezervuara, do ta rrisnin fuqinë e tyre politike në Kuvendin e Kosovës dhe do të ishin shumë më të përfaqësuar në institucionet e vendit.

Ky është qëndrimi im politik që kam, kjo është zgjidhja më e duhur, po ashtu jam edhe realist, sepse në këtë situatë kjo nuk është e lehtë të kalojë, sepse duhet të ndryshojë Kushtetuta, te partitë politike shqiptare nuk ka ndonjë pengesë, por ndryshimet kushtetuese duhet të kalojnë edhe nga 2/3 e pakicave dhe ju po e shihni, që problemet që janë me listën srbska dhe me mundësitë që kanë ata për ta bllokuar këtë proces, ta shohim si do të shkojë propozimi nga Presidenti, ne do ta propozojmë në pakon e ndryshmeve kushtetuese dhe ta shohim se a do të kalojë, por kam një skepticizëm, i cili nuk do të më ndalojë që të mbaj një qëndrim se kjo është zgjidhja reale dhe e duhura, nuk më pengon që unë të përpiqem që në momentin e parë të duhur që ta shtyjmë përpara këtë proces. Kjo do t’i kishte zgjidhur të gjitha dilemat rreth zgjedhjeve, pra votimeve në diasporë, kemi modele të tilla si Kroacia i ka 5 ose 6 vende, Maqedonia i ka 3 vende, Italia, Franca kanë vende të rezervuara për personat jashtë vendit, kështu që ky nuk do të ishte një model jo i njohur për ne, për më tepër do t`ia jepte diasporës një vend të merituar në institucionet e Kosovës.

-Ai takoni personalisht personalitete të ndryshme që  kërkojnë lehtësira në investime, kur dihet që janë të ndara nëpër ministri por si diasporë, sa janë të interesuar në përgjithësi në këtë aspekt?

Ministria e diasporës ka  një departament për investimet nga diaspora, ministria diasporës ka punuar në krijimin e rrjeteve të bizneseve të diasporës shqiptare janë diku 23 rrjete.

-A kemi statistika të bizneseve?

Jo, aktualisht sepse këto rrjete janë në konsolidim e sipër dhe  ministria i ka ndihmuar në themelim, por ato janë të pavarura, por patjetër që janë me mijëra biznese. Ne i kemi ndihmuar që të krijohen, dhe si rezultat i punës që kemi bërë jam udhëheqës i një grupi për tërheqjen e investimeve nga diaspora, në kuadër të ministrisë e që është grup i punës i Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. I mundësova të gjitha këto sepse jemi shumë afër me investitorët nga diaspora, qoftë ata që dëshirojnë të investojnë në Kosovë dhe merremi me baza ditore me problemet dhe telashet që ata i kanë në Kosovë, shpeshherë jemi edhe avokatë të tyre pranë institucioneve tjera, pra ne jo vetëm që merremi me problemet e përgjithshme që mund të kenë, por edhe me ato konkrete, me zënie pronash, problemet me doganat, probleme me ATK, probleme me komunat, ndërmjetësojmë ju japim informata, jemi urë lidhëse kur kanë nevojë të takohen me kryetar komunash apo ministri, varësisht nga nisma që kanë ne bëjmë përpjekje për t’u qëndruar afër, normalisht  kam një qëndrim që këta që kanë investuar të ndihen mirë dhe këta të jenë agjentët e parë pozitivë për njerëzit tanë nga diaspora, kështu që shpeshherë i vizitoj,  punoj dhe bëj përpjekje që problemet që kanë ata, që kanë investuar, ne t`u gjendemi afër, jo çdoherë mund t’i zgjidhim por së paku ta ndiejnë që kanë një derë, që pa problem të trokasin të vijnë të bisedojnë dhe t’i shprehin të gjitha problemet që mund të kenë. Pastaj, ne punojmë me investitorë që dëshirojnë të vijnë nga diaspora me këto rrjetet që veç janë, dhe kemi punuar shumë që të organizohen dhe shqiptarët atje të bëhen bashkë, në mënyrë që të jenë forcë edhe atje ku janë, por edhe që bashkërisht ata të shikojnë çfarë mundësie kanë që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Mendoj që në përgjithësi,  ne si shtet duhet ta kemi parasysh që vija e parë e frontit të tërheqjes së investimeve duhet të jenë, njerëzit tanë nga diaspora, pra nëse nuk arrijmë t’i përfitojmë ato investime, ne do ta kemi të vështirë që të huajt të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Qytetarët tanë atje janë ura lidhëse edhe me investitorët e huaj, nga përvoja ime nuk ka ndonjë investitor të huaj që dëshiron të investojë ose ka investuar në  Kosovë, dhe nuk e ka prapa një bashkëpunëtorë shqiptarë nga diaspora.

-Duke ditur bukuritë turistike të bjeshkëve të Kosovës, sa janë të përqendruar investitorët nga diaspora për investime në turizëm, ofrimin e shërbimeve të ndryshme turistike kur dihet se  shumë shqiptarë jetojnë në vende me industrinë e zhvilluar të turizmit?

Ministri Murati: Po mendoj se edhe diaspora jonë në vitet e fundit është futur në industri më komplekse, qoftë në atë financiare, qoftë edhe në turizëm qoftë edhe në prodhim, edhe në ndërtim jo vetëm të vogla por edhe të mëdha, kështu që çdo herë e më shumë mund të presim investitorë nga diaspora që dëshirojnë të investojnë edhe në ato fusha. Ne kemi investitorë që dëshirojnë edhe kanë investuar këtu në një turizëm agrar, bujqësor agroturizëm, por ende jemi ne fazat fillestare të saj.

-Në fund, i nderuar ministër çfarë sugjeroni për revistën tonë “Votra” çfarë mund të kontribuojë për familjet shqiptare në botë?

Ministri Murati: Kërkoj që të jemi partnerë në punën tonë për të propaganduar idenë, se fëmijët shqiptarë duhet të vazhdojnë të ndjekin mësimin shqip, sepse mësimi i gjuhës shqipe është vlerë e shtuar, jo një barrë, njohja e gjuhës amtare nuk është pengesë. Dua të dërgojë mesazh që me të gjitha të metat, që ne mund t`i kemi mos të dëshpërohen me vendin e tyre, sepse gjithë bashkërisht ashtu siç kemi punuar dhe kemi çliruar Kosovën, bashkërisht, dalëngadalë me gjitha problemet që  kemi, do ta bëjmë Kosovën, çdo ditë e më shumë një vend të mirë, për ata dhe për ne.

Drenushë D. Gaxherri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights