Biseda me Sunita Kurtin, mbikëqyrëse e punës terapeutike në qendrën “Autizmi”

Jaser Veseli

A ka prindër që tërhiqen nga trajtimi pas një periudhe, duke menduar se fëmija i tyre është trajtuar ose nuk ka nevojë për përmirësim?

Prindërit ndodh të bëjnë kësi të them ‘gabime’, pasi fëmijët me autizëm kanë nevojë për trajtim një kohë të gjatë, disa madje edhe për gjithë jetën. Kjo sigurisht varet nga shkalla e autizmit. Ka prindër që shohin një përmirësim të vogël dhe vendosin ta zvogëlojnë orarin. Sigurisht, kjo edhe arsyetohet në disa raste për shkak të uljes së harxhimeve, sidomos për prindërit të cilët nuk i kanë kushtet e mira financiare. Por raste kur prindërit janë tërhequr për shkak të këshillimeve tona, nuk kemi.

Ngurrimi i prindërve për t’i sjellë fëmijët në trajtim

Ne organizojmë edhe aktivitete të tjera për fëmijët me autizëm, jashtë qendrës së trajtimit, dhe shpesh ftojmë prindër t’i ndjekin ato. Ka nga ata që nuk duan të vijnë, për shkak se nuk duan që të tjerët t’i shohin se ata kanë fëmijë me këtë problem.  Disa nuk duan të fotografohen, xhirohen apo këto të shfaqen nëpër media.

Raporti me prindërit

Sinqerisht,  një punë shumë e madhe e jona është edhe raporti me prindërit. Pjesa më e madhe kur e kuptojnë se fëmija i tyre ka autizëm, fillimisht kalojnë një gjendje  “shoku”  për të pranuar një fakt të tillë. Me këtë gjendje ata vijnë te ne dhe presin që të bëjmë mrekulli brenda një kohe të shkurtër, një, dy ose tre muaj.  

Ka pasur raste kur prindërit fillimisht kanë qenë të pakënaqur me trajtimin, pasi metoda që përdorim ne, ABA, kalon në disa faza. E para fazë është ajo kur fëmijët vetëm duhet të luajnë, me qëllim që të përshtaten me terapistin, për të krijuar bindjen se ai është person i mirë për ta. Por ka prindër, në veçanti ata me vështirësi ekonomike, që e shohin këtë si humbje kohe, se fëmija i tyre vetëm luan në qendër dhe se nuk trajtohet.

Këto pritje të mëdha të tyre vijnë edhe për shkak se ata nuk janë mirë të njoftuar saktësisht se çfarë gjendje është autizmi, se është një çrregullim që e përcjell personin gjithë jetën. Simptomat edhe mund të zbuten dhe fëmija mund të shkojë edhe në shkollë, por autizmi, që as nuk mund të quhet sëmundje, pasi nuk është e tillë, nuk do të eliminohet kurrë plotësisht.

Fëmijët  e tjerë brenda familjes, një barrë shtesë për prindërit

Sfidë tjetër për prindërit që kanë fëmijë me autizëm është edhe raporti që ata ndërtojnë me fëmijët e  tjerë që nuk e kanë këtë problem. Kjo për shkak se fëmijët e tjerë nuk e gëzojnë vëmendjen që gëzon fëmija me autizëm.

Kjo ndodh për faktin se prindërit ndiejnë një faj të brendshëm që ai/ajo është me autizëm dhe i përkushtohen më shumë atij fëmije. Në anën tjetër, fëmijët e tjerë të tyre mbeten anash, që vërehet sidomos kur fëmijët arrijnë moshën e adoleshencës, një fazë tjetër delikate për prindërit.

Autizmi dhe trajtimet e suksesshme

Rastet e trajtimit të suksesshëm në qendrën e shoqatës “Autizmi” nuk mungojnë. Mes tyre është edhe një fëmijë që, siç tregon Sunita, brenda një viti ka arritur, nga një person që nuk flet fare, ka arritur të mësohet të flasë dhe madje të imitojë të tjerët.

“Kur fillimisht ka ardhur, fëmija nuk ka folur asnjë fjalë. Por tani ai flet, flet aq sa ka nevojë, i bën kërkesat e tij me fjalë, përgjigjet për atë që e pyet dhe edhe imiton të tjerët. Ky është një rast i veçantë i suksesit në qendrën tonë, por ka edhe fëmijë të tjerë me shumë sjellje problematike, por që kanë arritur t’i reduktojnë këto sjellje dhe të bëhen më të përshtatshëm pas disa muajsh terapi”.

Aspekti i socializimit dhe komunikimi mes vetë fëmijëve autikë

Komponenti i socializmit është karakteristikë për personat me autizëm. Ata edhe mund të jenë të ngacmuar nga të tjerët, që i bën më shumë të tërhequr, por vetë natyra e tyre është e tillë që i bën ata që të qëndrojnë të vetmuar dhe të mos jenë ata të parët që e fillojnë një lidhje shoqërore. Në qendrën tonë kemi edhe fëmijë që luajnë me njëri-tjetrin, por zakonisht luajnë në mënyrën e tyre dhe kjo nuk zgjat shumë. Por kemi edhe fëmijë që shkojnë në shkollë dhe qëndrojnë normalisht në klasë…

Metoda e trajtimit dhe fokuset e saj

Metoda e trajtimit, ABA, që aplikohet në qendrën “Autizmi”, ka në fokus të gjitha aspektet e trajtimit, si atë akademike, fushën e të mësuarit, menduarit, aftësi të jetës së përditshme (për t’u veshur apo ushqyer vetë), pastaj aftësimi në shoqëri, si për shembull rregullat e shoqërisë, të ndenjurit në qetësi në klasë, të presësh tjetrin derisa flet. Me një fjalë ky program është për të gjitha aspektet e jetës së përditshme.

Fillimisht bëhet vlerësimi i çdo fëmije, që na jep neve një pasqyrë se në cilën fushë ka nevojë të punohet me fëmijën. Testi tregon se në cilën fushë vlerësimi ai ka treguar më pak rezultat, dhe ne punojmë pikërisht në këtë pikë më së shumti.

Shkollimi dhe fëmijët me autizëm

Ka raste ku fëmijët me autizëm mbeten jashtë shkolle. Sipas rregullave, shkollat kërkojnë që fëmijët me autizëm të jenë të shoqëruar nga një person/asistent gjatë kohës që ata janë në shkollë, sidomos rastet më të rënda që mund të prishin rendin dhe qetësinë në klasë. Ka prindër që nuk kanë mundësi të paguajnë asistentin, duke qenë se shteti nuk e mbulon këtë, dhe si pasojë fëmijët mbesin jashtë shkolle. Ka raste kur vetë prindërit vendosin të jenë shoqërues të fëmijëve gjatë qëndrimit të tyre në shkollë.

Diagnostikimi i fëmijëve me autizëm

Prindërit tashmë nuk ngurrojnë të marrin masa për diagnostikim të hershëm të fëmijëve dhe trajtim të tyre. Shumë prindër vijnë edhe te ne, edhe pse e dinë se nuk bëjmë diagnostikim, por vijnë konsultohen. Madje, shumica e prindërve vijnë kur fëmijët e tyre janë në moshën trevjeçare, një situatë ndryshe nga e kaluara kur fëmijët kanë qenë pesë-gjashtë vjet kur prindërit për herë të parë kanë marrë hapa konkretë për ta trajtuar fëmijën. Kjo tregon se ka më shumë informacion dhe ka një ngritje të vetëdijes së prindërve, të cilët shumë më herët arrijnë t’i vërejnë shenjat e autizmit te fëmijët e tyre.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*