Artistët Frederik dhe Alisa Ndoci rrëfejnë mbi suksesin dhe familjen

Frederik Ndoci

Që në moshën  5 vjeçare kuptova ç’është muzika  dhe  magjia e saj, nëpërmjet debutimit në korin e katedrales së qytetit, dhe më pas u nderova me çmimin e dytë në Festivalin Kombëtar të fëmijëve. Babait im, Kol Ndoci, iu pre ëndrra për të vazhduar studimet për kanto në vitet 1955, pasi prindërit humbën jetën në mënyrë tragjike nga një ortek tek po ktheheshin nga një festë në një fshat të Malësisë.  Ai u shndërrua në baba e nënë për 6 vëllezërit dhe motrat e tij më të vegjël. Ai ishte vetëm 17 vjeç, por edhe sot ai ka një  impostim natyral edhe pse është 90 vjeç. Shkodra quhet fushë beteje e çdo shkodrani, sepse kultura e trashëguar është e përmasave të paimagjinueshme. Mjafton një muaj në Shkodër që të marrësh një ndjenjë euforie për çfarë përjeton,  e jo më të lindesh e të rritesh në atë ambient. Konkurrenca e artit në Shkodër është në cilësinë e fenomeneve  artistike, gjë që e bën të dukshme që në hapat e parë që artisti shkodran ndien sapo del në  shfaqje me fëmijë të trevave të tjera.  Çdo vit kishim aktivitete artistike ku fatmirësisht nuk më detyruan asnjëherë të këndoja ose t’u thurja lavde diktatorëve ose regjimit dhe çmimet nuk m’u ndanë në vitet 1966- 1971, ku u aktivizova me të rriturit në klubin e rinisë, me këngë spanjolle si “Palma kubana”,”Caminito”, “Capretua” në frëngjisht, ”How do you do?” në anglisht etj., gjersa në 1972 kur unë fitova kinoprovën në një film artistik “Nga mesi i errësirës”, por për shkak të biografisë  sime politike nuk më lejuan të isha unë protagonisti. Më pas u ktheva nga Tirana dhe fillova shkollën e muzikës “Prenkë Jakova” për instrument fryme oboe dhe u bëra anëtar i orkestrës filarmonike të qytetit dhe orkestrës së estradës së qytetit të Shkodrës. Në vitin 1977 u riktheva në skenë me dy këngë: “Vallë ç’ka?” dhe “Nusja na ka ardhë”, pasi kënga e shkruar prej Zef Çobës dhe meje m’u hoq ditën e festivalit dhe iu dha një kushërirës së Enver Halilit “Moj e mirë me sytë e zi”, edhe pse ishte shkruar posaçërisht për vokalin tim. Më pas vazhdova studimet për aktor në Akademinë e Arteve dhe u bëra pjesëtar i grupit “Na bashkoi kënga popullore” si instrumentist perkusion guitar mandoline dhe vokal ku për katër vite interpretuam si grup 150 këngë popullore qytetare dhe të kultivuara nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe 15 këngë si solist. U nderova me një çmim dekade të klasit II me këngën “Kjo Kosova e ka adet, nga një pashë me e mbytë përvjet” dhe këtu filloi dënimi im politik,  pasi u mblodh Kuvendi Popullor për të marrë vendimin e largimit nga Teatri i Operës dhe i Baletit dhe u bllokuan të 150 këngët ku ishte imazhi im. U dënova 6 muaj me agjitacion e propagandë dhe kam bërë punë të sforcuar derisa u riktheva nga Burreli dhe më riemëruan në teatrin “Migjeni” si aktor pranë estradës së qytetit ku unë isha i pari aktor me Akademi. Në vitet më pas kam marrë pjesë në këta filma: 1982- ”Në çdo stinë” ,1983 “Fundi i një hakmarrjeje”, në 1984 “Dasma e shtyrë”,1985 “Flutura në kabinën time”,  si dhe në 1986 “Kur hapen dyert e jetës” titrat finale të të cilit u mbyllën me një këngë të interpretuar, gjë që solli edhe rehabilitimin tim dhe unë u riktheva në skenë në Festivalin e Pranverës. Çdo këngë e imja  i këndon dashurisë dhe fenomeneve popullore si “Pranvera me një lule nuk vjen” ose në çdo zemër njëherë troket”, “Liberta”, “Jeto rininë”, “Tokë e diellit”,  “Hap dritaret Europë”, “Këngë pa fund është rinia” “Sytë e tu”, “Ditë tjetër”, “Vala dhe shkëmbi” “ Lules” “Përdhunuesi” etj., në kohët anarkike i paafti bëhet edhe i rrezikshëm dhe kështu përfundova në Itali ku pas 8 muajsh pune në ndërtim m’u dha rasti në një festë province të këndoja 5-6 orë live dhe më pas u hap karriera edhe në Itali ku u bëra pjesëtar 50% i grupit “Le pagine d’album” të grupit “Le rose rosse”, regjistrova një cd dhe fillova të jepja koncerte në Europën Perëndimore, si dhe një kontratë me Spanjën për 20 muaj. 
Në 1993, një tjetër cd long black disk dhe broshurë vjetore me partiturat  dhe 24 videoklipe vijuan, ku për herë të parë dy këngë ishin të miat si kantautor: ”Mama Maria” dhe “Dove sei”, në 1994 cd “Kanta Frederik”, në Usa California (San Diego) 1996 nje cd me këngë Gospel, ku 6 këngë ishin interpretimi im dhe dy ishin kompozimi im “God’s new birth” dhe “From my heart”, ‘95-‘98 mora menaxher dhe merrja pjesë në koncerte ndër kisha kristiano-amerikane, në Las Vegas , në teatro dhe sheshe nëpër Kaliforni gjersa në vitin 1998 lëviza në NY dhe u aktivizova me komunitetin shqiptar. 
Në 2004 nënshkrova një kontratë me “Blue november” George Gesner me origjinë albano-rumune nga familja Qiriako për realizimin e cd, e cila do sillte edhe suksesin tim si artist internacional cd (duble) titullohet “Canterina” përmban 17 këngë ku 6 janë kompozimet e mia. Është interpretuar në stile të ndryshme dhe në 6 gjuhë: italisht spanjisht, anglisht, greqisht, shqip dhe frëngjisht. nga kjo cd do vinin 15 herë emri në listën për “Grammy awards” 2006-2007 49th grammy do vinte çmimi  i parë në epik Unisong Contest, “The crying field”, kompozim i imi dhe teksti im do vinte në IMA (Independent Music Award) në section  latin kënga “Corason de cristal” do radhitej në 5 finale në vendin e tretë pas Aguilerës dhe Enrrique Iglesias,NASA merr një këngë nga albumi”Piano on a Moon” dhe vendos ta dërgojë në yllin mars në sound track perpeteum. Në 2007 përfaqësova Shqipërinë në Eurosong “Hear my plea”, regjistrova rreth150 këngë të reja dhe riregjistrime, botova dy libra me poezi “I lindur dhe plak i divorcuar”, “Mozaik nga jeta dhe arti”dhe fitova tri çmime të para në festivale: “Ah, jetë oh jetë”, kënga e shkruar për Maria Priftin, “Pasuri e pasurive”, “S’kam ma përse” fiton çmimin II në Festivalin Mbarëkombëtar në Shkodër dhe në Festivalin Ballkanik në Beograd, fitoi çmimin e parë, si dhe çmimin e parë në Festivalin Botëror të Fëmijëve. Jam nderuar me certifikata nga Presidenti, mbretëria shqiptare, qyteti i Shkodrës , organizata të ndryshme në USA, nga University of California, nga Kosova, Tuzi, nga Struga etj., dhe më e rëndësishmja nga PapaFrançesku ku debutimet e mia në 6 këngë atë ditë të shenjtë të paharruar përjetë unë debutova edhe dy këngë kompozime të miat, ku këngën Martirët e fesë” kushtuar martirëve të persekutuar nga komunizmi monist totalitar shqiptar, e kisha kompozuar pothuajse dy muaj para se ati i shenjtë, Papa Françesku, të jepte lajmin që do vizitonte Shqipërinë…tani çdo ditë pothuajse shkruaj dhe krijoj një material të ri dhe çdo 10 ditë përfundon i plotë një material i ri…kuptohet që në Shqipëri ka vështirësi shumë, por fëmijët e mi Marilu dhe Nikolo, ma kushtëzojnë mundësinë e qëndrimit këtu. Serenatat shkodrane janë shumë të hershme sa dhe disa prej tyre gabimisht njihen si korçare p.sh. “Lulet e majit” ka autor Pjerin Ashiku, “Ti më ke braktis” Leonard Deda “Do të vij një natë me kitarë” dhe “Rroku-rrokullisni kadet” është autor Pjetër Gjini ish- drejtor i “Orës Gazmore” pranë Radio Tiranës që nga viti 1927 gjer me 1946 në vitet 1900 në Shkodër nëpër shtëpitë shkodrane ishin të instaluara mbi 200 pianoforte.Shkodra ka këngë të shkruara në partitura (mbi 75) që në vitet 1500 pra këngë rituale dhe shtregulla…mos të harrojmë se në Shkodër kanë qenë 85 përfaqësi diplomatike dhe konsullata, unë njoh mbi 100 serenata shkodrane, por që janë muzikë me autor jo shumica e tyre si dhe serenatat korçare, por që edhe unë për vete kam dhënë kontribut…si serenata korçare ashtu edhe ajo shkodrane janë huazim, pasi muzika e lehtë në Shqipëri ishte ndikim franko-italian. 
Si këngët patriotike të grupit “Lira” ashtu edhe këngët qytetare popullore shkodrane (jo ahengu oriental) janë autentike dhe shumica e tyre kanë autor. 
Meqenëse edhe muzika kishte tranzicionin e vet në vitet ‘90 doemos ndikoi regresivisht në Shqipëri, gjithçka kombëtare u zëvendësua me egjiptiane, rome, orientale dhe çuditërisht kaloi në një të ashtuquajtur “turbo folk”, e cila është e një familjeje me tallaganë, muzikë maqedonase e sjellë nga romët e Maqedonisë. Muzika turke greke rumune-sllave  dhe afgano-pakistaneze dominojnë në muzikën tonë…dhe që muzika e mirëfilltë reziston dhe merr frymë shumë pak, pasi injoranca e bukurisë injorante meskine zotëron për momentin…tani edhe disa artistë që kishin emër kanë rënë në batakun e moçalit të këtij ndikimi dhe justifikohen me termin  “I do populli”. Muzika e bukur, sipas meje, është e pavdekshme dhe se njerëzit profesionistë duhet të këmbëngulin në vazhdimësinë e saj dhe se stoicizmi i së bukurës triumfon gjithmonë.

Alisa Ndoci

“ Kam lindur në Tiranë, më 24 mars 1973.

Origjina ime është nga dy skaje të Shqiptarisë. Babai im ka qenë nga Gjakova e Kosovës, e nëna ime është nga Korça. Jam bijë e dy prindërve të mrekullueshëm, që më kanë rritur me nje dashuri e përkujdesje deri në adhurim. Ata jetonin për të më bërë të lumtur e për të realizuar çdo ëndërr e pasion timin. Ishin ata që jo vetëm mbështetën dashurinë time për artin, por dhe e nxitën atë më shumë. Nuk ishte e lehtë asaj kohe të luftoje për ëndrra e pasione të tilla. Në atë kohë nëse nuk kishe mbështetje dhe një biografi të mirë, mund të quheshin ëndrra në sirtar. Falë sakrificave e këmbënguljes së prindërve të mi, ëndrrat filluan të merrnin jetë. Mbarova shkollën e mesme për Kanto me rezultate shumë të larta dhe menjëherë fillova studimet në Universitetin e Arteve të bukura në Tiranë. Pas studimeve bëra edhe masterin me rezultatet më të larta. Isha më e lumtur se kurrë atë ditë kur në dorë mbaja diplomat e mia. Jo vetëm që ëndrrat ishin bërë realitet, por mbi të gjitha që sakrificat e prindërve të mi ishin shndërruar në krenari e lumturi pa fund për mua, bijën e tyre. Shumë shpejt fillova të jem pjesë e konkurseve ndërkombëtare e shpërblyer në çdonjërin prej tyre. Shumë koncerte do të vijonin karrierën time. Në shumë shtete të Europës e më gjerë, si Itali, Greqi, Zvicër, Gjermani, Austri, Belgjikë, Izrael e deri në Amerikë. Tani jam mësuese e Kantos në Liceun Artistik të Tiranës dhe pedagoge e jashtme në Universitetin e Arteve në Tiranë. Fati ka qenë krah meje në çdo hap të jetës profesionale. Por nuk e dija se edhe më shumë do isha e ndjekur nga fati i mirë në jetën time private. Në gusht të vitit 2007, do të njihja atë, që gjithmonë e kam adhuruar si artist, e që më magjepste me zërin margaritar, Frederik Ndocin. Teksa ditët kalonim, çdo ditë e më tepër duke njohur Rikun kuptova se shpirti i tij ishte po aq i bukur sa dhe zëri i tij. U ndjeva e magjepsur dhe e dashuruar me Princin tim. Ai, pikërisht ai që më drithëronte me zërin e tij, fati e kishte rezervuar të ishte bashkudhëtari e miku im i jetës. Zoti më ka bekuar, këtë e them me mburrje e me gjithë sinqeritetin e shpirtit. Jetojmë prej 9 vitesh së bashku, kemi ndërtuar çerdhen tonë me kaq dashuri e përkushtim për njëri-tjetrin. E shpërblimi e frytet e dashurisë sonë erdhën në jetën tonë si dy zogj, që çdo mëngjes na zgjojnë me cicërimat e tyre. Vajza jonë, Marilu 6 vjeçe, e djali ynë, Nikolo, 4 vjeç janë pasuria e bekimi më i madh në jetën tonë. Jam bijë e dy prindërve më të mirë  që mund të ekzistojnë, babai im i shtrenjtë Besnik që nuk jeton më, e që më mungon kaq shumë, e nënës sime Violetë, që ende me përkëdhel si nje vajzushkë të vogël. Jam artiste, bashkëshorte e nje burri fisnik e shumë të përkushtuar, e nënë e dy zemrave të vogla që më japin lumturi pa fund  në çdo çast të jetës sime. E nuk më mbetet gjë tjetër veçse të falënderoj Zotin çdo ditë, për gjithçka më ka dhuruar në jetën time.

Faleminderit!”

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*