Ansambli Folklorik Autokton Rugova. 70 Vite në skenat shqiptare dhe ato botërore

Rugova është një krahinë e thellë malore në Alpet Shqiptare. I takon krahinës së gjerë të Kelmendit. Ka reliev shumë të thyer malor, me shpate gëlqerore të thikta e gryka të thella e të ngushta erozive, midis të cilave shquhet gryka strategjike e Rugovës. Nga aspekti etnografik krahina e Rugovës ka afri me Malësinë, ndërsa mënyra e jetesës është përcaktuar në masë të madhe nga vetë natyra e ashpër malore. Rugovasi lind, jeton, punon dhe vdes në natyrë, në male të larta, i rrethuar me pyje, maje e shkrepa, me bar të njomë, me lule e bimë të tjera të ndryshme, por edhe me kafshë të egra, me dimër të ashpër e të gjatë. Kështu rugovasi është mishëruar me natyrën, me ambientin e tij gjeografik. Ndonëse jetën e vet të vështirë gjithmonë e ka kaluar në rrethana të vështira, ai gjithherë lahutën e ka mbajtur në dorë dhe kavallin në shokë. Madje kur këto rastësisht i mungonin, ai merrte fletën e gjethit, dhe duke e shtrënguar lehtas midis buzëve, nxirrte me frymën e gojës melodi të çuditshme, me këtë instrument. Në një ambient të tillë, më 14.6.1947 u themelua Ansambli Rugova, i cili në fillim kishte një numër shumë të vogël të anëtarëve (Ramë Elez Lajçi, Ramë Kapllan Nikçi, Sylë Rexha, Halil Haredini, Halil Faslia, Gjylë Hamza, Xhevë Selimi). Ansambli sot ka 180 anëtarë të regjistruar, kurse prej tyre për ekzekutimin e programit marrin pjesë 25 deri 35 anëtarë të moshave të ndryshme, prej 6 deri në 86 vjeçare. (Curr Ymeri 86 vjeçar bajraktar i Ansamblit).

Pjesëmarrja në festivale

Gjatë këtyre 70 vjetëve Ansambli ka marrë pjesë në shumë festivale, si në vend ashtu edhe jashtë vendit. Kudo që u paraqit Ansambli zgjoi interesim tek publiku, me interpretimin e pikave të tyre nga tradita e Rugovës. Gjatë pjesëmarrjes në festivale të ndryshme, me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, ansambli arriti të merr një numër të madh të shpërblimeve, mirënjohjeve, plaketave etj. Prej tyre dhjetëra medalje të arta e të argjenda, qindra të bronzta, pastaj mirënjohje, diploma dhe shumë shpërblime të tjera. Ajo që vlen të veçohet me këtë rast është vendi i parë që e zuri Ansambli në Langolen (Britani të Madhe), në vitin 1966.

Shkrime për ansamblin në shtypin anglez /1966/

Programi

Programi i Ansamblit është i larmishëm dhe shumë interesant. Në kuadër të programit ansambli prezanton vlerat e trashëgimisë kulturore, veçmas të folklorit rugovas. Këtu duhet përmendur lojën me jataganë, interpretimin e  muzikës me anë të lahutës, fletës, tepsisë etj, që janë pikat më përmbajtjesore. Këtu nuk duhet harruar as prezantimin e këngëve të ndryshme, si ajo e vajzave, e ninullave, të konaxheqit, baritore etj. Janë me mjaft interes edhe prezantimi i lojërave të ndryshme, si “loja e kapuçave”, loja “xao” etj. Vallet popullore të Rugovës, sipas vlerësimit të studiuesve kompetentë, janë një margaritar i vërtetë në folklorin shqiptar në përgjithësi. Këtu ruhen vallet e vjetra në origjinalitetin e tyre të lashtë. Ato janë shprehje e jetës së kësaj popullsie. Rugovasi edhe kur luan, kur kërcen e vallëzon, e përkujton luftën për jetë dhe për ekzistencë. Ai edhe në vallet e tij mban në dorë shpatën, pistoletën, ose flamurin. Fitoret e tij në fushën e betejës nuk i ka bërë të paharrueshme vetëm nëpërmes këngës, por edhe vallet e tij dëshmojnë për burrërinë, trimërinë dhe besën e pathyeshme të malësorit. Vallja e njohur “Loja e Rugovës”, e cila quhet edhe “Loja me jatagana”, ose “Këcimi i Rugovës” tashmë është loja më e popullarizuar tek ne. Kjo është një valle luftarake, në të cilën gjestet e rënda, të hapura me shpatë në dorë, paraqesin dhe imitojnë sulmet e armikut dhe mbrojtjen e palës kundërshtare. Kjo valle është hedhur edhe në momentet e përgatitjes së rugovasve për luftë, madje edhe në intervale të ndërprerjes së saj. Ka qenë kjo valle një frymëzim dhe inkurajim, një përkrahje morale për luftëtarin rugovas që të qëndroj trimërisht për të dalë fitues mbi kundërshtarin e tij. Shkëlqimi i shpatave dhe lëvizjet e trupit të valltarit virtuoz në hapësirë na magjepsin, na gozhdojnë syrin dhe vëmendjen. Në ajër lojtari ndërton figura të plagosjes, të vuajtjes, të vdekjes, të ngadhënjimit dhe të krenarisë, laton kryevepra skulpturale monumentale që fiken dhe zhduken, vetëm e vetëm për të na treguar një episod jetese e lufte, një dromcë epopeje popullore.

Loja me jatagan

E ngjashme me lojën me shpata, është edhe “Loja me pishtole”, por kjo duhet të jetë më e re, gjykuar sipas armës e cila përdoret gjatë ekzekutimit të kësaj loje. Ajo që vlen të theksohet në vazhdim është se mënyra e ekzekutimit, struktura ritmike-plastike dhe përdorimi i armëve u japin karakter luftarak. Kundërshtari gjithmonë simbolizon armikun. Prandaj, këto valle kanë karakter të theksuar luftarak dhe një frymë epike, burrërore dhe paraqesin shprehje artistike mjaft të lartë. Në lëvizjet dhe figurat e këtyre valleve, hetojmë përsëritjen, riprodhimin e ngjarjeve, rikonstruktimin e betejave. Duket se në to është përgjithësuar jeta e njeriut tonë, sidomos e malësorit: i fortë, trim e liridashës. Veglat muzikore me të cilat shoqërohen këngët e vallet popullore në Rugovë janë po ato të cilat përdoren edhe në vise të tjera. Por edhe këtu Rugova i ka disa veçanti. Para se gjithash, në këto vise edhe sot përdoret lahuta më tepër se kudo ndër ne. Duke përfunduar le të themi se, meqë Ansambli Folklorik Autokton Rugova është një monument i gjallë në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë etnografike dhe folklorike të Rugovës dhe jo vetëm të kësaj krahine etnografike, ky ansambël meriton një vlerësim dhe një përkujdesje më të madhe nga institucionet tona përkatëse! Sa më parë që të kuptohet kjo, do të jetë më mirë jo vetëm për ansamblin por edhe për trashëgiminë tonë popullore

Dr. Bashkim Lajçi

Instituti Albanologjik – Prishtinë

Fotografitë: Driton Hysenaj

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*