6 monumente të trashëgimisë kulturore që duhet t’i vizitoni patjetër në Durrës

Edhe pse një vend i vogël, Shqipëria ka një pasuri të madhe historike, kulturore, por edhe natyrore. Më poshtë, po ju rendisim 6 prej monumenteve të trashëgimisë kulturore në qytetin e Durrësit, që duhet t’i vizitojmë.

TORRA VENECIANE: Kulla rrethore (Torra), u ndërtua në shek. XV mbi kullën bizantine. Kjo dëshmohet nga prania e blloqeve nga rrethoja e mëparshme, e fragmenteve arkitektonike dhe e relieveve antike. Kulla ka diametrin 16 m dhe lartësinë 9 m. Në kullë hyhet nëpërmjet një porte në formë harku me tulla. Kulla është e paisur me 5 frëngji dhe 3 ndarje. Perimetri sipër mbyllet me bedena. Ambienti i brendshëm është ndërtuar me tulla në formë kupole. Ngjitja në lartësi bëhet nga brenda, me shkallë të ngushta e të pjerrëta.

MUZEU ARKEOLOGJIK: Muzeu Arkeologjik është përuruar më 13 prill 2002, mbi bazën e materialeve të Muzeut të parë arkeologjik, i hapur më 13 mars 1951. Ekspozita është organizuar në tre pavione sipas periudhave historike. Salla e parë fillon me vitrinën e gjetjeve prehistorike në qytet e rreth. Në rend kronologjik ndiqet pandërprerje historia e qytetit në periudhën arkaike, klasike dhe qytetare ilire deri në shek.I p.e.re. Në vazhdim shpaloset zhvillimi topografik, ekonomik, politik e kulturor i Dyrrachiumit romak. Në aspektin tematik ky qytet dëshmon praninë e një popullsie autoktone ilire me botë të pasur shpirtërore. Durrësi paraqitet qendër me ekonomi shumëdegëshe dhe që tregtonte me shumë qendra mesdhetare. Mesjeta përshinë 15 shekuj nga shek. V-XV dhe mbyllet me periudhën turke.

SHTËPIA MUZE: Shtëpi me çardak e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX. Në vitet ’30 të shek. XX ka qenë edhe seli e konsullatës angleze. Kjo ndërtesë për vlerat e saj arkitekturore është shpallur “Monument Kulture”. Pas restaurimit të saj në vitin 1983 u vendos “Ekspozita e Kulturës Popullore”. Në tre dhoma ekspozite, shpalosen vlerat artizanale të trevës së qytetit tonë dhe të rrethinave të tij. Dy dhoma të tjera i janë kushtuar figurës së aktorit me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu (1879-1935) emërtuar “Dhoma Muze Aleksandër Moisiu”.Në  Durrës ai kreu shkollën fillore dhe për këtë në vitin 1928, shkroi kujtimet e tij në formë skice me titull “Ëndërr  fëmijërie”.

BANKA E SHTETIT SHQIPTAR: Banka e Shtetit në Durrës u ndërtua më 10 nëntor 1928. Themelet e saj janë mbi kullën juglindore të rrethojes bizantine, e quajtur “Bastioni i madh”. Ndërtesa është projektuar nga arkitektë italianë dhe realizuar nga mjeshtrat durrsakë. Nga ana kompozicionale hyn në veprat e stilit barok, që përdorët për herë të parë në vendin tonë. Mbi bankë është vendosur një skulpturë njerëzore (grua) e cila paraqet në mënyrë simbolike luftën, rezistencën dhe fitoren ndër shekuj dhe begatinë e vendit.

PALLATI I MBRETIT “ZOG I”: Pallati mbretëror u ndërtua në vitin 1937. Ai u projektua në kuotën më të lartë (98m) të kodrave dhe ka një pozicion mbizotërues mbi qytet dhe det. Nga ana arkitekturore përfaqëson stilin e ndërtimit (neoklasicist) i përdorur në fillim të shek. XX. Në fasadën ballore të Vilës është figura e kryetrimit shqiptar Gjergj Kastriot Skenderbeu mbi kalë, profil djathtas, me shpatë në dorë. 

MEMORIALI MUJO ULQINAKUT: Memoriali i kushtohet Mujo Ulqinakut (1896-1939), “Hero i Popullit”, një ndër luftëtarët e parë të qëndresës së armatosur kundër pushtimit fashist italian më 7 prill 1939. Memoriali u realizua nga “Skulptori i Popullit” Kristaq Rama. Mujo Ulqinaku lindi në qytetin e Ulqinit në familjen e një detari. Kishte gradën nënoficer në repartin e marinës në Durrës. Që në orët e para të pushtimit fashist italian u pozicionua në vijën e parë të luftimit. Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarët e tij, me qëndresën dhe patriotizmin e tyre treguan trimëri të madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights