Si t’i ndihmojmë fëmijët të përballen me divorcin e prindërve

Dr.Sylvia Rimm

Divorci nuk është asnjëherë i lehtë qoftë për fëmijët ashtu dhe për prindërit e tyre.

Edhe pse ekzistojnë disa kontradikta në studimet e bëra mbi ndikimin përfundimtar të divorcit te fëmijët, përsëri të gjithë janë dakord që për fëmijët është më e shëndetshme për momentin dhe për të ardhmen e tyre që të rriten në një familje me të dy prindërit.  Një martesë e keqe është gjithmonë e mbushur me stres për të dyja palët: të rriturit e fëmijët. Kërkimet shkencore të bëra deri tani nuk arrijnë të provojnë me siguri se një divorc i paqtë është më i mirë apo më i dëmshëm se një martesë që ka shkuar keq. Në përgjithësi, prindërit e sapondarë mundohen t’i ndihmojnë fëmijët gjatë procesit të divorcit, në mënyrë që ata të mësohen me pozicionin e ri.

Kështu që nëse ju jeni divorcuar tashmë ose jeni duke u divorcuar, këshillat e mëposhtme do t’u ndihmojnë ju dhe fëmijët tuaj gjatë kësaj periudhe të vështirë.

1- Nëse mendoni se ekziston mundësia që martesa të përmirësohet nëpërmjet këshillimit, bëjeni përpjekjen! Çdo martesë kalon kriza të ndryshme e shumë martesa rregullohen me ndihmë të jashtme.

2- Edhe nëse mendoni se është e pamundur që martesa të shpëtohet, kërkoni këshillim për një divorc më të lehtë. Sidomos fëmijët duhet të  këshillohen, për ta përjetuar sa më lehtë këtë situatë. Ata e kanë të domosdoshme që të kenë besim te dikush që t’i tregojnë si ndihen, sepse në këtë periudhë të vështirë ata ndihen si të zënë në çark, sepse nuk duan t’ia prishin asnjërit prind.

3- Të dy prindërit duhet t’u bëjnë të ditur fëmijëve dashurinë e tyre, si dhe t’i sigurojnë ata se divorci nuk është shkaktuar nga asnjëri syresh, prandaj ata duhet të vazhdojnë t’i duan prindërit njëlloj si më parë, pa pasur nevojë të mbajnë anën e asnjërit.

4- Edhe nëse besoni që divorci është faji i prindit tjetër, mos ia lini fajin në ngarkim atij kur të flisni me fëmijët edhe pse nganjëherë do të jetë shumë e vështirë përmbajtja, sidomos kur ndiheni të nevrikosur ose të braktisur.

5- Mos u tregoni fëmijëve detaje intime mbi divorcin! Fëmijët e rritur shpeshherë mundohen të marrin rolin e të besuarit, sepse duan që ta tregojnë veten si të rritur. Por t’i trajtosh fëmijët si të rritur para kohe bën që të kthehen në të rritur të pasigurt, si dhe mund të ndodhë që të rebelohen kundrejt prindit që u ka treguar gjëra intime.

6- Mos i nxisni fëmijët të flasin negativisht për prindin tjetër! Ata do të mundohen ta bëjnë këtë që të jenë mirë me prindin që jeton me ta.

7- Vër në dukje aspektet pozitive të prindit tjetër, në mënyrë që ai/ajo të jetë një model konstruktiv në jetën e fëmijëve. Fëmijët do ta shohin si shembull prindin tjetër sado që ju mund t’i flisni negativisht për të. Sa më shumë të vini në dukje karakteristikat negative të prindit tjetër, aq më shumë fëmijët do të ndihen të pazotë për t’i ndryshuar karakteristikat e tyre të njëjta apo të afërta. Nëse e keni të vështirë të gjeni anë pozitive për prindin tjetër, mos flisni fare!

8- Fëmijët që jetojnë dhe vizitojnë prindërit në dy shtëpi të ndara duhet të kenë dy vende ku mund të mësojnë për punën dhe lojën. Mos lejoni të krijohet imazhi ku në njërën shtëpi është prindi që punon e në tjetrën është prindi me të cilin luhet.

9- Kur nevrikoseni me sjelljen e fëmijës suaj, mos u tregoni atyre që ata i ngjajnë prindit tjetër. Kjo nuk do të sjellë asgjë të mirë, por mund t’i bindë fëmijët se nuk kanë zgjidhje tjetër, përveçse të bëhen si prindi tjetër.

10- Mos u ndieni fajtor për divorcin! Askush nuk është perfekt! Ndjenja e fajit nuk i ka përmirësuar asnjëherë aftësitë prindërore. Koha do t’i shërojë ndjenjat e lëndimit dhe do t’u ndihmojë ju dhe prindin tjetër t’i përshtateni një mënyre të re të jetuari me një marrëdhënie të ndërtuar në të mirën e fëmijëve.

11- Mos i përzieni fëmijët në krizën tuaj financiare! Kjo do t’i stresojë fëmijët duke i bërë ta shikojnë prindin tjetër jo vetëm si jo të mirë, por edhe si të fuqishëm.

12- Mundohuni të ecni para në jetë pas divorcit, sepse fëmijët do t’ju shohin si model, gjë që do t’i ndihmojë të ndërtojnë konfidencë më vonë në jetë.

13- Nëse prindi tjetër është abuziv ose tregohet jo i gatshëm për të mbajtur lidhjen me fëmijët, mos e inkurajoni atë marrëdhënie negative. Do të përfundojë në abuzim të fëmijëve, ose në të detyruarit e të ndjerit të braktisur nga prindi tjetër. Është më mirë të ecni para dhe të ndihmoni fëmijët të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme me të rritur të tjerë në jetën e tyre, si p.sh. me gjyshër, halla, teze, xhaxhallarë dhe shoqëri të ngushtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Verified by MonsterInsights